Aleanca Kosova e Re (AKR) shprehet e gatshme për krijimin e një koalicioni parazgjedhor me njërën prej partive të mëdha politike.

Partia e Behgjet Pacollit vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, përfaqësuesi i AKR-së, Jetlir Zymberaj tha se afati optimal për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është fundi i janarit ose fillimi i shkurtit.

“Ne u pajtuam bashkërisht që data e zgjedhjeve të caktohet në një datë sa më shpejt të mundshme, në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen. Kemi parasysh që nevojitet goxha kohë që pas përfundimit të zgjedhjet të arrihet deri tek certifikimi i rezultateve”, tha ai.

Zymberaj shprehu gatishmërinë e partisë që përfaqëson për krijimin e një koalicioni parazgjedhor me tri prej partive të mëdha politike në vend.

“Jemi në diskutime brenda partiake, opsioni më i mundshëm është krijimi i një koalicioni me një subjekt tjetër politik…Besoj që do të jetë me njërën nga partitë e mëdha”, tha ai.