Pas gati 3 vjetësh protestë dhe rezistencë për mbrotjen e Teatrit Kombëtar nga artistët, intelektualët dhe shoqëria civile, sot është rrënuar Teatri Kombëtar i Shqipërisë.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, sot mbahet një aksion simbolik para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë solidarizimi me Tiranën.

“Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 do të mblidhemi para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të shprehur indinjatën tonë me këtë arrogancë të pashoqe dhe kundërshtimin tonë ndaj këtij veprimi të Qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës. Ftojmë të gjithë/a ata/o që ndajnë të njëjtat bindje, të na bashkohen sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19. Ju lutemi të jeni të pajisur me maska e dorëza si dhe të mbani distancën prej së paku 2 metrash nga pjesëmarrësit/et tjerë/a në aksionin simbolik. Për të mbajtur distancën e rekomanduar ju lutemi të pozicionoheni tek pikat e vendosura në sheshin para Teatrit”.”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e TKK-së.

Po ashtu, në shenjë solidarizimi kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë” , Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj”, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë, Qendra Multimedia”, “Teatri Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri – Kukaj”, kanë anuluar shfaqjen “Skenderbeu ose dashuri dhe liri”, e cila ka qenë e planifikuar në kudër të kalendarit online / livestream./21Media