Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka lutur qytetarët që t’i shmangin ndejat familjare dhe daljet në sheshe e rrugë pa nevojë, por njëkohësisht i ka lutur që të krijojnë distancën fizike dhe të shtojnë kujdesin për higjienën personale.

Ky reagim i Aliut erdhi pasi sot janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus në Ferizaj.

Lehtësimi i masave si duket, ka hasur në disa keqkuptime. Ju e doni Ferizajn, bëjeni për çdo familje ferizajase duke nisur nga familja juaj, mbroni shëndetin e tyre e duke qëndruar në shtëpi e respektuar rregullat e sjelljes, radhituni në frontin e luftës së përbashkët kundrejt këtij virusi. Gjithëçfarë ju ka munguar, si rëndom para virusit, do ta shijoni së shpejti, porse fillimisht lypset ta normalizojmë situatën duke respektuar sjelljen në kohë pandemie. Unë e di, besoj tek ju, ne bashkë do ta mundim këtë rrezik”, ka shkruar ai./21Media