​Analisti Ardian Kastrati i bashkohet PDK-së

 

Analisti politik, Ardian Kastrati, zyrtarisht i ka hyrë politikës duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës. Prezantimin e tij e ka bërë sot ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Ai në një konferencë për media ka folur për punën e Kastratit ndër vite, teksa ka thënë se kyçja e këtij të fundit në politikë, gjegjësisht në PDK, nuk është një aderim, por një besim i madh.

Në këtë mënyrë, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja po dëshmon aleancën e këtij subjekti politik me profesionistët më të mirë.

“Ky aderim nuk është thjesht një aderim i një emri e mbiemri të një profesori të nderuar, por është hapje e PDK-së, është aleancë e PDK-së me profesionistët më të mirë, me njerëzit më të përkushtuar që ta shtyjnë ndërtimin e një Kosovë modern përpara. Ardhja e Ardianit nuk e ka edhe fjalën teknike ‘aderim’ por mbi të gjitha është një besim i madh, i ri që mendjet më të mira, energjitë më pozitive, njerëzit më të vendosur, po i bashkohen çdo ditë PDK-së”, ka thënë ai.

E arsyet e futjes në politikë i ka dhënë vet Ardian Kastrati, i cili është profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërsa viteve të fundit është njohur si analist aktiv i politikës.

“Më fton roli i intelektualit, nuk mundem kurrsesi të rri indiferent përballë proceseve politike shumë të komplikuara sikur po kalon Kosova. Në veçanti nuk mund të rri indiferent si politolog sepse më fton profesioni… Sa i përket pyetjes pse në PDK, mbrëmë me fëmijët e mi, duke i shikuar disa arkiva aty, gjeta një ftesë në ditën kur është themeluar PDK para disa viteve, unë nuk pata shkuar për disa arsye tjera, nuk isha i gatshëm që të kyçem në politikë në atë kohë. Po i përgjigjem asaj ftese me 20 vite vonesë, por në fakt unë kam qenë aty, me frymën me konstruksionin politik që ka ndërtu PDK”, ka deklaruar Kastrati.

Para Kastratit, PDK-së i është bashkuar edhe analisti tjetë politik-Faton Abdullahu.

Back to top button