Pas përplasjes fizike mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së derisa diskutohej çështja e personave të zhdukur, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, tha se është e turpshme që kolegët e tij deputetë tentojnë ta personalizojnë këtë çështje.

Gashi tha se është e dhimbshme të shohësh që partitë politike që për të fituar ndonjë votë akuzojnë e shpifin pa ndal ndaj kolegëve dhe ndaj Qeverisë.

“Është e dhimbshme të shohësh që të zhvillohet situata në atë formë nga tendenca për të fituar një votë aty apo këtu e për të akuzuar e shpifur pa ndal ndaj kolegëve dhe ndaj Qeverisë. Më vjen keq që kolegët e mi të nderuar këtu tentojnë ta personalizojnë këtë çështje, është e turpshme që dikush tenton ta personalizojnë. Siç ju thash edhe jashtë mikrofonit po ju them edhe me mikrofon, këto tema janë të rënda, nuk duhet të trajtohen kështu sepse të gjithë kanë histori personale, të gjithë, kanë histori personale që kanë origjinë edhe në këtë Kuvend”, tha ai.

Ai tha se çështja e të pagjeturve është e ndjeshme dhe sërish ka kërkuar nga deputetët që të mos personalizohen gjërat, derisa tha se nga deputetët e LDK-së ka kërkuar që të mos flasin për historitë personale të tyre.

“Kam tentuar që në këtë sallë këto çështje të mos bëhen diskutim në këtë Kuvend, kam kërkuar nga z.Fetah Rudi që 20 vjet në karrocë që të mos flasë për këtë temë se është e ndjeshme për momentin. Kam kërkuar nga z.Shkëmb Manaj që të mos flasë për babin e vet të vrarë dhe të djegur, sepse është e ndjeshme situata. Kam kërkuar nga deputetja Doruntinë Maloku që të mos flasë për babin e vet të vrarë në sy të saj në moshën 16 vjeçare sepse është temë e ndjeshme për këtë Kuvend. Kam kërkuar nga Armend Zemaj që të mos flasë për tre kushërinjtë e vet të vrarë se është temë e ndjeshme për këtë. Kam kërkuar nga Marigona Geci të mos flasë për këtë temë në Kuvend se është e ndjeshme për momentin dhe për Kosovën”, tha ai.