Ganja, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan, u granatua nga forcat armene dhe luftimet e ashpra vazhduan rreth rajonit të diskutueshëm Nagorno-Karabak.

Autoritetet e vetëshpallura në rajon njoftuan se kishin në shënjestër aeroportin ushtarak në Ganja, pasi Azerbajxhani bërë të njëjtën gjë në Stepanakert, kryeqyteti i Nagorno Karabak, transmeton BBC.

Autoritetet në Baku thanë se asnjë vend ushtarak nuk u prek në Ganja. Ministri i Mbrojtjes Zakari Hasanov tha se ky ishte një “provokim i qartë” që synonte zgjerimin e konfliktit.

“Informacioni i përhapur nga armenët në lidhje me bombardimet e pretenduara të objekteve ushtarake në Ganja është i rremë dhe provokues. Si rezultat i zjarrit të armikut, civilë u plagosën dhe infrastruktura civile u dëmtua, si dhe ndërtesa historike”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.

Nga ana tjetër, rebelët në Karabak thonë se shkatërruan aeroportin ushtarak në Ganja. Ata deklarojnë se reaguan pasi Stepanakert u godit nga predha, si dhe se aeroporti i përmendur u përdor nga Azerbajxhani për të organizuar sulme ndaj zonave civile.

Një numër i madh i viktimave u raportuan në Stepanakert dhe gjithashtu u ndërpre edhe energjia elektrike, raporton Armenpress. Autobusët me civilë u panë duke u larguar nga qyteti të shtunën.

Më shumë se 220 njerëz kanë vdekur që kur filloi konflikti një javë më parë. Ka frikë se numri i vërtetë i të vdekurve në ushtritë e të dy palëve, si dhe civilët, është shumë më i lartë, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Ushtria azerbajxhanase thotë se ka rifituar kontrollin e shtatë fshatrave që nga java e kaluar, ndërsa forcat e Nagorno-Karabak thonë se trupat e tyre kanë përmirësuar pozicionin e tyre në vijën e frontit./KP