Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona, në mesin e tyre edhe një të mitur, lidhur me incidentin e sotëm në Llapnasellë.

Djali i kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, njëherësh ish-ministrit Nenad Rashiqit është rrahur sot nga disa persona në afërsi të shkollës në Llapnasellë.

Lajmin e ka konfirmuar për rtv21.tv zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se personi i sulmuar ka pësuar lëndime trupore me ç’ rast ka kërkuar edhe ndihmën mjekësore.

“Sot, rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona. Me të marrë informatën, njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para, dyshohet se një person mashkull ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor tetë persona të dyshuar, prej tyre një i mitur”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të rastit./21Media