Në vazhdën e veprimeve operative të grupit hetimor në lidhje me rastin e njohur si “Karaçeva”, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës sot ka arrestuar dy të dyshuar, të cilët në ditën e realizimit të operacionit policor nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre.

Të dyshuarit janë arrestuar në dyshimet se në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2019-2020 janë marrë me veprën penale “kontrabandimin i mallrave” nga Serbia në Kosovë, ku për pasojë i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

Pas intervistimit, ndaj të dyshuarve prokurori kompetent ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.

Ndryshe, 35 persona janë arrestuar, 12 prej tyre policë, gjatë një aksioni më 18 shtator në Karaçevë të Kamenicës, për veprimtari të kundërligjshme. Gjatë aksionit janë rrënuar të gjitha kazinotë që kanë vepruar në atë pjesë dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme pasi që dyshohet se janë përdorur në veprimtarinë e tyre.