Në kuadër të realizimit të investimeve kapitale dhe rregullimit të infrastrukturës rrugore në vendbanimet e Komunës së Malishevës, sot ka filluar dhe po asfaltohen nëntë rrugë në fshatrat Mleqan dhe Drenoc.

Asfaltimin e këtyre rrugëve e kanë parë nga afër i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ishte i shoqëruar edhe nga drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, ai i shërbimeve publike, Milazim Morina dhe shefi i prokurimit, Nuhi Shala, e të cilët janë pritur nga kryetari i Mleqanit, Ismet Kryeziu dhe ai i Drenocit, Nehat Krasniqi.

Kryetari Begaj, i ka uruar banorët e të dy fshatrave, për rregullimin e rrugëve të tyre.

Ndërsa drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, ka sqaruar, se në Mleqan janë duke u asfaltuar shtatë segmente të rrugëve brenda lagjeve dhe kështu gradualisht është duke u përmbyllur rregullimi i infrastrukturës rrugore, e po ashtu krahas investimeve tjera në këtë fshat, është duke u rregulluar edhe ndriçimi publik.

Morina, tha se edhe në Drenoc, sot po përfundon rregullimi i dy rrugëve në dy lagje të ndryshme, ndërsa shumë shpejt, do të fillojnë edhe me investime tjera në rrugë e trotuar në këtë fshat.

Nga ana tjetër, kryetarët e të dy fshatrave, Kryeziu e Krasniqi, e kanë falënderuar komunën për këto investime, pasi gradualisht po rregullohet infrastruktura në fshatrat e tyre.