Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka njoftuar se ka filluar hetimet ndaj dy ndërmarrjeve, KEDS dhe KESCO, të cilat dyshohet se kanë abuzuar me pozitën dominuese, duke krijuar pengesa për hyrjen në treg të burimeve të ripërtritshme të energjisë.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, në një konferencë për media, tha se po trajtojnë një nga rastet më të ndjeshme që nga themelimi i Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se bëhet fjalë për fillimin e hetimeve të ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO.

Prestreshi tha se dyshimet e autoritetit të konkurrencës, të cilat janë ngritur pas shqyrtimit paraprak janë se këto ndërmarrje kanë shkelur nenin 4 dhe nenin 10 për mbrojtjen e konkurrencës.

“Më konkretisht dyshohet se këto ndërmarrje kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar dhe kanë abuzuar me pozitën e tyre dominuese. Gjatë shqyrtimit paraprakë të situatës në tregun e energjisë elektrike, Autoriteti i Konkurrencës ka vërejtur që KEDS ka abuzuar me pozitën dominuese, duke krijuar pengesa për hyrjen në treg ndaj burimeve të ripërtritshme të energjisë , duke kërkuar nga burimet e ripërtritshme të energjisë por edhe investitorët tjerë, që në rast kur ata bëjnë investime në trafostacione, ato investime dhe prona ku gjendet trafostacionet të vendosen në pronësi të ndërmarrjes KEDS”, tha ai.

Sipas tij, KEDS ka vend kufizime apo pajisje që nevojiten për t’u kyçur në sistemin e shpërndarjes, duke kërkuar nga investitori që të gjitha pajisjet që nevojiten, që instalohen, të jenë të një marke të pranueshme për KEDS-in, si dhe të kenë test të tipit të duhur sipas procedurave të brendshme të KEDS-it.

“Ekzistojnë dyshimet se KEDS në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka vendosur çmimin joreal të blerjes apo shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare. Kanë zbatuar kushte të ndryshme të transaksioneve për punë të njëjta me ndërmarrje tjera, duke i sjellur ato në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën, dhe kanë vendos çmime apo kushte tjera që kanë si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjes jashtë tregut relevant të konkurrentëve të veçantë ose të një produkti të tyre”, tha ai.

Ai shtoi se Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar dokumente të ndryshme nga KEDS dhe KECO, të cilët kanë një afat prej 30 ditëve për t’i dorëzuar.

Prestreshi në fund tha se nuk kanë hetuar për dëmet që janë shkaktuar nga këto dy ndërmarrje.