Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka kërkuar sot nga inspektorët komunalë dhe Policia e Kosovës që të jenë më vigjilentë në zbatimin e masave antiCOVID-19, në mënyrë që qytetarët t’u përmbahen vendimeve dhe rekomandimeve nga IKSHPK.

Ai gjatë një takimi me zyrtarë komunalë nga Drejtoria e Inspeksionit dhe komandantin e Stacionit Jugor të Policisë, Ahmet Xhosha, iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë në maksimum rekomandimet nga IKSHPK, pasi në këtë mënyrë mbrojnë shëndetin e tyre, familjarëve dhe shoqërisë.

Gjithashtu në këtë takim u përcaktua orari i inspektimeve për zbatimin e masave, ku inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë do të zhvillojnë aksionin e tyre çdo ditë nga ora 19:00 deri pas mesnate, duke u ndarë në tri grupe, dhe me asistim të Njësisë Speciale për intervenime në ato lokale të cilat paraqesin probleme.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Mitrovicë janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus duke çuar kështu totalin e të infektuarve në 481.