Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër në seancën plenare të votojnë në dy leximet për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Bajrami ka shkruar Facebook se me anë të kësaj do të rigjallërohet ekonomia e vendit.

“Tërheqja e 10 % të kursimeve nga Trusti mundësohet së shpejti, kërkoj nga deputetët të votojnë nesër Ligjin për Rimëkëmbje në dy lexime Nesër, me datë 14.08.2020, në Seancën plenare të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID-19. Ky ligj është i një rëndësie vitale, sepse përmes tij krijohen mundësitë ligjore për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë. Ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi. Projektligji mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës.Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi. Rrjedhimisht, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të rëndësishme të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj, si Ministre e Financave, u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër ta votojnë këtë projekt-ligj”, ka shkruar Bajrami.

Tërheqja e 10 % të kursimeve nga Trusti mundësohet së shpejti, kërkoj nga deputetët të votojnë nesër Ligjin për…

Posted by Hykmete N. Bajrami on Thursday, 13 August 2020