Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, sot ka raportuar lidhur me zhvillimet e fundit në Administratën Tatimore të Kosovës dhe për lirimin nga detyra të Ilir Murtezajt. Këtë vendim ajo e ka quajtur të drejt dhe të arsyeshëm.

Para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ministrja Bajrami duke arsyetuar vendimin për lirim të drejtorit, theksoi se ndaj Murtezajt ka marrë dhjetëra ankesa nga stafi i ATK për shkelje të detyrës për degradime të pajustifikueshme, të paarsyeshme dhe në të njëjtën kohë ka pasur avancime nga pozita e asistentes në pozitën e inspektorit.

Derisa nga deputetët e opozitës shkarkimi i Murtezajt është cilësuar si vendim politik.

Sipas ministres Bajrami, Murtezaj ka shpallur kundërligjshëm konkurs për tri pozita për zëvendësdrejtorë të ATK-së.

“Shkelja është konfirmuar nga Ministria e Administratës Publike, sepse zëvendësdrejtorët kanë ushtruar detyrat me akt-emërime. Për këtë si hakmarrje për anulimin e konkursit ndaj zëvendësdrejtorëve, Murtezaj ka shfuqizuar akt-emërimet. Kjo është ndërhyrje brutale”, tha ajo.

Ministrja Bajrami ndër të tjera tha se Murtezaj ka degraduar punonjësit, ka shpallur pozita tepricë, ndërsa në të njëjtën kohë ka vendosur ushtrues të detyrës.

“Ka bërë lëvizjen e shpeshtë të zyrtarëve nëpër pozita për të përgatitur në pozitat e të preferuarve të ti. Nuk ka asnjë të vërtet që ne kemi dashur me interferuar në ATK”, tha ajo.

Deputeti nga PDK, Kujtim Gashi, tha se tashmë ish-drejtori i ATK-së ka pasur performancë të mira dhe këtë e dëshmon edhe raporti i FMN-së.

“Përtej asaj që ka deklaruar ish-drejtori i ATK, si mund të shkarkohet një drejtor kur raporti i FMN ka potencuar që ka pasur progres dhe me një strukturë mirë të organizuar. Po ashtu edhe performance të mirë të të hyrave. Andaj pse mund të ndodhë një shkarkim i tillë?”, pyeti Gashi.

Ministrja Bajrami tha se asnjëherë nuk janë kundërshtuar raportet ndërkombëtare, dhe siç tha ka qenë vështirë të punohet me gjithë ato ankesa ditore nga stafi ndaj Ilir Murtezajt.

“Kam këtu me dhjetëra komunikime që dëshmonjnë shkeljet që janë bërë tek ATK. Nuk mundësh thjesht me i mbyllë sytë kur një asistente ngritët në pozitën e inspektorit dhe bëhen degradime në anën tjetër”, tha ajo.

Deputetja Mimoza Kusari Lila tha se rrethanat e shkarkimit tregojnë më shumë për pastrim politik sesa për struktura organizative.

Ajo tha se ish-drejtori ka përmendur punësime të fëmijëve të gjyqtarëve, familjarë të politikanëve në kohën kur Avdullah Hoti ka qenë ministër në Ministri të Financave.

“A ka bazë për vepër penale për ish-drejtorin, dhe a ka pasur ndërlidhje me evazion fiskal, apo me shkarkimet e tjera në Doganë dhe Polici? Sa vërejtje ka marrë Murtezaj nga MF për shkeljes të detyrës”, pyeti ajo.

Për deklaratat e deputetes Kusari-Lila pati ndërhyrje nga deputeti i LDK-së, Shkelzen Hajdini, sipas të cilit në çdo qeveri ka pasur shkarkime.

Madje, Hajdini u përplas verbalisht me deputeten Kusari Lila, i cili i tha me ironi se “se ju namin e keni bë”.

Kryetari i Komisionit Hekuran Murati në fund përmendi deklaratën e Ilir Murtezajt se ka pasur evazion fiskal 3.2 miliardë euro.

Për deklaratën e bërë një ditë pas shkarkimit, ministrja Bajrami tha se duhet të hetojë prokuroria dhe të raportojë në komision edhe vet Ilir Murtezaj.

“3.5 miliardë qarkullim dhe nuk kanë paguar tatim, kjo është për t’u hetuar. Le të vjen këtu dhe të tregon kush janë ato biznese. Sepse ka qenë dy vjet në atë pozitë dhe s’ka ndërmarrë veprime”, theksoi Bajrami gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.