Skuadra e Barcelonës është tërhequr nga gara për sigurimin e shërbimeve të mbrojtësit të Bayern, David Alaba pasi që lojtari është duke kërkuar një pagë që krerët e Barçës nuk mund ta përballojnë, raporton “Sport”.

Kontrata e austriakut është afër të skadojë dhe edicionin e ardhshëm sipas gjitha gjasave ai do të jetë si agjent i lirë, por kërkesat e Alabas për një pagë të majme kanë bërë që shumë ekipe të tërhiqen nga gara për shërbimet e tij, një ndër to është edhe Barcelona.

Alaba po kërkon rreth 15 milionë euro për sezon ose 300,000 euro në javë, shifra të cilat me rastin e pandemisë Covid-19 janë të papërballueshme për shumë ekipe që janë të interesuara për të.

Interesim serioz për të kanë treguar vetëm Liverpooli dhe Manchester City, por raportohet se Juventus së bashku me PSG kanë hyrë në garë së fundmi për shërbimet e mbrojtësit 28 vjeçar.