Mundo Deportivo, një gazetë që përcjell me detaje ngjarjet në Barcelonë, shkruan se klubi katalonas ka përcaktuar çmimin me të cilin Lionel Messi mund të largohet.

Barcelona nuk dëshiron të heqë dorë nga klauzola e dëmshpërblimit që përmbahet në kontratën e tij aktuale, e cila arrin në 700 milionë euro.

Sigurisht, nuk ka asnjë klub futbolli në botë që mund të lejojë një shumë të tillë për një lojtar, por mund të mos jetë e nevojshme nëse Messi nuk e zgjat kontratën aktuale deri në qershor 2021. Prandaj, mendimi i njerëzve kryesorë në klub mund të ndryshojë pasi ata rrezikojnë të mbeten pa një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Messi është zhgënjyer me politikat e Barcelonës në sezonet e fundit dhe mediat spanjolle shkruajnë se ai po mendon seriozisht të largohet.

Inter, Manchester City dhe PSG përmenden si destinacione të mundshme për Messin.