Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha do të nisë nesër një vizitë dy ditore në Kosovë me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai me këtë rast do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës së Kosovës.

Të hënën, kryetari Basha do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, atë të NISMA Fatmir Limaj. Po ashtu do të ketë takime me drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së.

Të martën, kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe atë të Mitrovicës Agim Bahtiri.

Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe do të zhvillojë homazhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.

Gjatë vizitës në Kosovë, kreu i PD-së do të shoqërohet nga Edi Paloka, nënkryetar i kësaj partie, Besnik Mustafa, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH-së dhe Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje.