BE ka vendosur tashmë masa kufizuese kundër zyrtarëve të lartë sirian

BE ka vendosur tashmë masa kufizuese kundër zyrtarëve të lartë sirian

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të merren “masa të përshtatshme” kundër atyre që janë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) publikoi një raport në të cilin akuzon regjimin sirian.

OPCW me qendër në Hagë, tha në një raport të publikuar dje se ushtria e presidentit Bashar al-Assad ishte përgjegjëse për sulmet kimike në Siri të kryera dy vjet më parë.

“Personat e identifikuar si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike duhet të përgjigjen për këto akte të turpshme,” tha sot ministri i Jashtëm i Bashkimit Evropian Josep Borrell në një deklaratë në emër të 27 shteteve anëtare.

BE ka vendosur tashmë masa kufizuese kundër zyrtarëve të lartë sirianë dhe shkencëtarëve për rolin e tyre në zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike dhe është gati të konsiderojë futjen e masave të reja nëse është e nevojshme.

“Bashkimi Evropian është i vendosur që kjo shkelje e dukshme e parimeve themelore të Konventës së Armëve Kimike do të marrë përgjigjen më vendimtare nga shtetet nënshkruese,” tha Borrell.

Në prill 2017, dy aeroplanët dhe një helikopter i Forcave ajrore siriane hodhën bomba me sarin dhe klor në Al-Latamin, një qytet verior në provincën e Hami, ku rreth 100 persona vdiqën.

Damasku zyrtar kritikoi sot raportin e OPCW, duke thënë se ai përmban konkluzione të fabrikuara me qëllim të fajësimit të qeverisë siriane.

“Siria e hedh poshtë këtë raport dhe mohon kategorikisht se është përdorur gaz helmues në Al-Latamini ose ndonjë qytet ose vendbanim tjetër sirian,” thuhet në deklaratë.