Bashkimi Evropian (BE) ka dënuar sulmin në Vjenë, i cili është përshkruar si një “sulm i tmerrshëm” dhe një “akt frikacak”, ka njoftuar sonte presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Evropa dënon ashpër këtë akt frikacak që rrezikon jetën dhe vlerat tona njerëzore. Mendimet e mia janë me viktimat dhe njerëzit e Vjenës pas sulmit të tmerrshëm. Ne jemi me Austrinë “, ka deklaruar Michel në Twitter, siç është raportuar nga AFP.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme gjermane ka dënuar rastin përmes një postimi në Twitter, duke deklaruar se megjithëse fushëveprimi i atij akti terrorist nuk është përcaktuar ende, mendimet janë me të plagosurit dhe viktimat në këto momente të vështira.

Ndërsa, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk kishte asnjë lëshim dhe se vendi i tij ishte me popullin austriak.

“Ne, francezët, ndajmë tronditjen dhe dhimbjen e popullit austriak. Pas Francës, një vend mik u sulmua. Kjo është Evropa jonë. Armiqtë tanë duhet të dinë me kë kanë të bëjnë. Nuk dorëzohemi para asgjëje ”, ka shkruar Macron në Twitter në gjuhën frënge dhe gjermane.