Karim Benzema pret që gara për titullin e La Ligas të jetë e ngushtë, kështu që çdo ndeshje që do ta zhvillojë Real Madridi të trajtohet sikur të ishte finale.

Momentalisht, “Galaktikët” gjenden në pozitën e tretë në tabelë në kuotën e 63 pikëve, dy më pak se vendi i dytë Barcelona, e tre pikë më pak se lideri i tabelës Atletico Madridi.

“El Clasico” do të zhvillohet këtë të shtune, ku Reali pret në shtëpi rivalin e tyre Barcelonën. Sidoqoftë, skuadra madrilene veçse e ka mposhtur një herë këtë sezon Barcelonën në “Camp Nou” me rezultat 3:1.

Një rezultat i ngjashëm, në ndeshjen të cilën Benzema e përshkruan si më të mirën në botë, do ta shihte Realin të ngjitej mbi Barçën në tabelë.

“Ka ende shumë ndeshje që kanë mbetur, dhe mendoj që kjo gara për titullin e kësaj lige do të vazhdoj deri në fund, sepse është shumë konkurruese. Duhet ta trajtojmë çdo ndeshje sikur të ishte një finale”, tha Benzema për “LaLiga World”.

“Në opinionin tim, El Clasico është ndeshja më e mirë në botë. Jo vetëm për mua, por për të gjithë. Ka një histori të madhe mes dy klubeve, është gjithmonë një ndeshje e rëndësishme”, shtoi sulmuesi francez.

Benzema ka shënuar të paktën një gol në secilën nga gjashtë ndeshjet e fundit, dhe mund të bëhet lojtari i katërt i Real Madridit, që shënon në shtatë apo më shumë ndeshje radhazi në këtë kompeticion, në shekullin e 21-të, kështu duke vazhduar në hapat e Ruud van Nistelrooyt, Cristiano Ronaldos dhe Gareth Bale.

Po ashtu, Real Madridi i Zinedine Zidanes nëse siguron fitore nesër, do të ishte fitorja e tretë radhazi e tyre kundër Barcelonës, për herë të parë që nga viti 1978.