Biden dhe Von der Leyen diskutojnë për Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden do të takohet sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington dhe një nga temat e diskutimit pritet të jetë situata në Ballkanin Perëndimor, transmeton Reuters.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë tha se të dy zyrtarët do të diskutojnë gjithashtu tregtinë dhe çështje të tjera, në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e SHBA me BE-në.
Biden dhe Von der Leyen diskutuan kohët e fundit, gjatë një takimi të udhëheqësve të G20 në Romë dhe gjatë Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou.
Shtëpia e Bardhë thekson se Biden dhe Von der Layen do të diskutojnë rregullat e ekonomisë përmes tregtisë së përbashkët midis SHBA-së dhe BE-së, ngrohjen globale, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.
“Presidenti Biden do të riafirmojë mbështetjen e BE-së si një partner kyç i SHBA-së”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Emily Horne.