Të hyrat në Doganën e Kosovës kanë shënuar rënie rreth 30 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar për shkak të pandemisë dhe uljes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Përderisa importi nga Serbia ka shënuar ngritje në muajin prill pas heqjes së takës 100 për qind.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress se në kohën e pandemisë ka rënë importi i mallrave nga tekstili, automjeteve dhe produkteve luksoze, ndërsa kanë shënuar rritje importet mallrave ushqimore, farmaceutike dhe higjienike.

Zëdhënësi Stavileci ka treguar edhe për importet nga Serbia, kur sipas tij, nga ky vend Kosova ka importuar brenda muajit të fundit 13 milionë euro mallra të ndryshe kryesisht ushqimore.

Produktet higjienike, ushqimore dhe farmaceutike, sipas Stavilecit, janë importuar më së shumti në kohën e pandemisë, ndërsa mallrat e tekstilit dhe automjeteve më së paku.

Edhe në kohë pandemie nuk kanë munguar importet e mallrave nga Kina dhe Rusia, por shtetet e Bashkimit Evropian veçanërisht Gjermania mbetet importuesi më i madh në Kosovë, pasuar nga Italia dhe Franca.

Ndërsa, sa i përket eksportit të mallrave, Kosova ka eksportuar edhe në Serbi, ku që nga fillimi vitit e deri tani janë eksportuar mallra në vlerë rreth 7 milionë euro, derisa eksportet në përgjithësi në këtë kohë pandemie kanë stagnuar deri në një masë.