Bislimi: Kuvendi synon të bllokojë qeverinë

Bislimi: Kuvendi synon të bllokojë qeverinë

Ministri në detyrë i Transfereve dhe Financave, Besnik Bislimi, theksoi se nuk mund të hartohet pako afatgjate emergjente derisa ende nuk dihet dëmi i shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Ai në një konferencë për media të përbashkët me kryeministrin në detyrë, kërkoi nga partitë politike të anashkalojnë inatet politike dhe bashkërisht të luftojnë përhapjen e koronavirusit të ri, teksa siguroi se Kuvendi nuk mund ta bllokojë qeverinë për zbatimin e pakos emergjente.

“Me vendimin e sotëm që synojnë ta marrin në Parlament, duke bllokuar qeverinë, ata mendojnë që do të na pamundësojnë. Qeveria ka kapacitete dhe mundemi krejt këtë pako ta akomodojmë brenda numrave ekzistues edhe nga buxheti ekzistues. Mesazhi im është në vend të bllokadës duhet t’i bashkojmë energjitë që bashkërisht ta dalim sa më lehtë nga kriza. Mirëpo, harroni që mundeni të paralizoni qeverinë. Ne kemi hapësira të mjaftueshme që gjithë pakon emergjente ta akomodojmë brenda buxhetit ekzistues. Pajtohem që për pakon për ringjalljen e ekonomisë na duhet më shumë hapësirë. Është shumë e rëndësishme që inatet politike t’i lënë për më vonë e bashkë të përqendrohemi në luftën e pasojave të Covid”, ka thënë Bislimi.