Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Bislimi u takua me Mitsunorin, diskutuan për procesin e dialogut

2 min read

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi sot priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunorin dhe temë kryesore e takimit ishte dialogu Kosovë-Serbi.

Siç informoi zyra e Kryeministrit, Mitsunori shprehu vlerësim nga ana e Japonisë për përpjekjet e Kosovës që të vazhdojë përpara me dialog dhe të arrijë zgjidhje në këtë proces.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi në përputhje me mesazhin e Mitsunori, ritheksoi që ai është i interesuar të vazhdojë angazhimin e tij në një dialog të drejtë dhe me parime të barabarta për të mirën e të dy popujve, me qëllim të arritjes së objektivave që duhet të definohen qartazi nga të dy palët nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Në takim u diskutua edhe për Lojërat Olimpike në Tokio, ku sportistët e Kosovës kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm. Z. Mitsunori u shpreh se është arritje e madhe për një shtet si Kosova, që ndonëse me sipërfaqe dhe popullsi relativisht të vogël, çdo ditë e më shumë lë gjurmë në arenën ndërkombëtare.”, u bë e ditur në komunikatë.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Mitsunori theksoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve duhet të thellohen në të gjitha fushat. Ai gjithashtu tha se shteti i Japonisë është i interesuar në organizimin e seminarëve virtualë, përmes së cilëve investitorët potencialë informohen rreth mundësive të investimit në shtetin e Kosovës. Sipas Mitsunorit, këto seminare kanë shënuar sukses në të kaluarën, dhe padyshim që do të shënonin sukses edhe në të ardhmen.

Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se Qeveria e Kosovës pret një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik me Japoninë, sidomos në sektorin e biznesit, duke marrë parasysh rininë e Kosovës me shumë potencial për zhvillim./21Media