Futbollistët e Bologna kanë shënuar fitore të madhe në udhëtim kundër Interit me rezultat 2:1, në ndeshjen e xhiros 30 të Serie A.

Interi ishte më i mirë në pjesën e parë dhe dukej se do të arrinin një fitore rutinë. Vendasit erdhën të parët në epërsi me golin e Lukaku në minutën 22, i cili ishte njëherësh goli i tij i 20-të në këtë sezon.

Në minutën 57, Bologna mbeti me një lojtar më pak, pasi Soriano u ‘skuq’ për shkak të ndërhyrjes së palejuar. Në minutën 62, Candreva u rrëzua brenda zonës së penalltisë dhe gjyqtari tregoi në pikën e bardhë. Lautaro Martines mori përsipër përgjegjësinë, por Skorupski mbrojti goditjen e tij.

Pas dështimit të penalltisë, Bologna ‘dënoi’ vendësit duke barazuar fillimisht përmes Juvara në minutën 74, ndërsa gjashtë minuta më vonë Barrow shënoi për 2:1.

Tre minuta para golit të dytë të mysafirëve, skuadra vendëse mbeti me dhjetë lojtarë në fushë pasi Bastoni u ndëshkua me karton të kuq.

Interi tani është 11 pikë larg Juventusit në vendin e parë, ndërsa Bologna është në mesin e tabelës me 41 pikë.