Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut sot ka diskutuar në lidhje me prioritetet rreth objektivave të kësaj ndërmarrje dhe është dakorduar për zhvillimin e dy objektivave me rëndësi të veçantë.

Në këtë drejtim, duke qenë se KEK-u nuk ka një strategji të korporatës dhe duke pasur parasysh mungesën e një strukture organizative koherente e cila nuk është në përputhje me numrin aktualë të të punësuarve, është vendosur që krahas strategjisë 2020-2025, prioritet për KEK-un të jetë edhe rishikimi funksional.

Konform udhëzimit nga Bordi i përkohshëm i drejtorëve, u.d. kryeshefi ekzekutiv ka formuar një grup profesional të përbërë nga niveli i lartë ekzekutivë si dhe ekspertë të brendshëm të fushave relevante me operimet e KEK-ut, i cili do të udhëhiqet nga zyra për planifikim strategjik.

Detyrë e këtij grupi është konsultimi me divizionet e brendshme, organizatat ndërkombëtare dhe palë të interesit, në mënyrë që sa më parë të hartojë draft-propozimin e strategjisë 2020-2025 për shqyrtim nga ana e Bordit të përkohshëm dhe aksionarit.

Në këtë vazhdë, Bordi i përkohshëm sot është takuar edhe me kompaninë e specializuar “ABKONS dhe AT Kearney” e cila muaj më parë ishte përzgjedhur për të kryer shërbimin e ”Rishikimit funksional të strukturës organizative aktuale’ të KEK-ut.

Bordi i përkohshëm ka shprehur shqetësimet e veta rreth shpërputhjeve organizative, moshës se lartë mesatare të të punësuarve dhe nevojës për zhvillimin profesional të stafit, andaj ka inkurajuar kompaninë që të hartojë një plan organizativ që do t’i trajtojë këto shpërputhje që do të jenë bazë për ripërtëritjen dhe zhvillimin e stafit.

Bordi i përkohshëm si përfaqësues i aksionarit të vetëm, Qeverisë, ka përgjegjësinë për performancën e mirë të KEK-ut, andaj është i përkushtuar që KEK-u të ketë identitet të qartë korporativ dhe një strukturë të qartë organizative“, thuhet në komunikatën për media.