Futbollistët e Bournemouth pësuan disfatë si vendës nga skuadra Southampton me rezultat 2-0 në xhiron e 37-të të Premier Ligës.

Skuadra e Eddie Howe zhgënjeu në stadiumin e tyre dhe “Shenjtorët” i morën me të merituar të tre pikët nga stadiumi “Vitality”.

Autori i golit të parë ishte Danny Ings në minutën e 41-të. Ings më vonë pati një shans për të dyfishuar avantazhin e ekipit, por humbi penalltinë.

Skuadra vendase arriti të shënojë disa minuta më vonë, por Calum Wilson ishte në pozitë jashtë loje.

Pas kësaj, mysafirët arritën të shënojnë edhe golin e dytë përmes Adams në minutën e tetë të kohës shtesë.

Pas kësaj fitoreje, Southampton arrin në kuotën prej 49 pikëve, ndërsa Bournemouth ka 31 pikë në pozitën e 19-të në tabelë, e cila largon skuadrën nga liga më e fortë angleze.

Në xhiron e fundit, Bournemouth luan si mysafir kundër Everton, ndërsa Southampton pret Sheffield United.