Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës sot ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë.

Vendimi ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 16 korrik 2020 të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe raportit aktuarial të BQK-së mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga auto-përgjegjësia dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.

Me anë të këtij vendimi, BQK kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë për grupet tarifore të auto-veturave dhe motoçikletave për 35 për qind.

Po ashtu, me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 gusht deri më 31 dhjetor 2020.