Shqiptarët më 25 prill do t’iu drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.

Kjo datë është dekretuar nga ana e presidentit i Shqipërisë, Ilir Meta në mbështetje të Kodit Zgjedhor.

“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.”, bëhet e ditur në dekretin e Metës.

Kjo datë vjen pas konsultimeve gjatë ditës së premte mes presidentit Meta dhe kryetarëve të partive kryesore politike në Shqipëri.

Për kryeministrin Edi Rama, nuk ishte problem data e zgjedhjeve, duke thënë se ishte i gatshëm të pranonte cilëndo datë.

Nga ana tjetër, edhe opozita nuk dha ndonjë datë konkrete, por deklaruan se duhen sa më shpejtë dhe se zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme.