Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana ishte sot në një vizitë në Komitetin Olimpik të Kosovës ku u prit nga Presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i KOK-ut Shasivar Haxhijaj.

Cana pasi falënderoi Krasniqin për pritjen e bërë dhe shprehu gatishmëri për ta ndihmuar sportin kosovar në rrugëtimin e ndërkombëtarizimit të tij, foli para mediave edhe për disa tema të tjera të cilat kishin të bënin me futbollin ndërkombëtar, por edhe atë vendor.

Në lidhje me paraqitjet e fundit të Kombëtares së Kosovës në futboll, Cana tha se nuk duhet t’i bëhet shumë presion kombëtares sepse nga kontaktet që ai i ka, Kosova shihet me superlativa nga njerëzit jashtë Kosovës për sukseset që i ka arritur.

“Për ekipin e Kosovën unë kam vetëm, le të themi lëvdata sepse jetoj jashtë dhe e shoh se çfarë flitet jashtë. Ju e përjetoni Përfaqësuesen e Kosovës ose Kombëtaren e përjetoni këtu brenda, unë mund të iu them se si përjetohet jashtë. Përjetohet vetëm me superlativa, vetëm me gjëra të mira, kjo tregon që ka bërë një përfaqësim të jashtëzakonshëm. Jashtë flitet se si ka mundësi që një shtet me më pak se dy milionë banorë që është sa një lagje e Romës ku unë jetoj, arrin nivele të tilla. Ka lojtarë si Vedati, si Miloti, si Rrahmani, si Zeneli, si Berisha, do të thotë, t’i marrim gjërat pak më me këmbë në tokë më me qetësi…….Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, mos t’i ngatërrojmë gjërat, mos t’i japim le të themi dëshira për sukses duhet të jetë gjithmonë……Besoj që me kohë dhe me konsolidim të ekipit, me rritje dhe me eksperiencë të ekipit do kthehet prapë ndoshta ta ëndërrojë kualifikimin.”, tha Cana.

Më tutje Cana trego se nuk e ka ndërmend të futët në profesionin e trajneri sepse më shumë e sheh veten në një pjesë tjetër të sportit, përkatësisht si drejtues i ndonjë klubi.

“E kam nisur licensimin e rëndë të trajnerëve por nuk e kam dërguar deri në le të themi ne licensën pro sepse aty duhet të jesh le të themi i angazhuar për t’u bërë trajner. Nuk është në planet e mia, preferoj më shumë të rri në le të themi në rang këshilltari ose një rang në të ardhmen një rang drejtuesi se sa një rang trajneri sepse….nuk e shoh veten aty në fushë, e shohë në një pjesë tjetër të sportit.”, deklaroi ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë.

Lorik Cana po ashtu bëri të ditur se e ndjekë me shumë vëmendje Superligën e Kosovës në futboll duke thënë se lufta për titull aty është jashtëzakonisht e bukur.

“Prej se është larguar Vllaznimi jo shumë (qesh). Por e ndjekë patjetër, e ndjeki këtë garën mes Ballkanit, Dritës dhe Prishtinës. E ndjeka edhe që Prishtina e pati një kthesë dje, e mposhti Dritën dhe u kthye në luftë për titull…… Kjo gara për titull e bënë jashtëzakonisht të bukur, besoj që sporti këtu ka vetëm një rrugë, është rruga e zhvillimit dhe rruga e përmirësimit.”.

Ish-mesfushori i Marselle nuk e la pa komentuar me këtë rast edhe tentativën për ta krijuar Superligën Evropian e cila ndodhi para pak ditësh.

“Unë nuk isha shumë i surprizuar nga dështimi i kësaj Superligës, projektit të Superligës Evropiane. Nuk e di as ishte thjeshtë një mjet për negociata të mëtutjeshme me UEFA-në, ai ishte me të vërtetë një përpjekje për ta realizuar por unë personalisht jam i kënaqur që në fund të fundit vlerat e sportit nëpërmjet kompeticionit mos të humbasin dhe ajo ishte për ta bërë futbollin privat, e futbolli nuk është privat, sporti nuk është privat.”, tha Cana.

Në fund Cana foli shkurtimisht edhe për situatën nëpër të cilën po kalon klubi i futbollit Vllaznimi nga Gjakova për të cilin ai vazhdon ta mbështesë për të gjetur një stabilitet financiar.

“Unë jam një person që po mundohem të gjejë njerëz që ta ndihmojnë klubin, por është një punë që po vazhdon, është një përgjegjësi shumë e madhe për ta mbajtur një klub historikisht kaq të madh, por dëshira është gjithmonë në një vend të kokës sime për ta gjetur një zgjidhje sepse unë jam i atij vendi.”, tha Cana në fund.