Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, në seancën e sotme tha se qeveria ilegale e cila nuk doli nga votat e qytetarëve po inskenon një zakon në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet liria dhe barazia.

Sipas tij ata do jenë aty për të demaskuar këtë qeveri e cila po i mban zyrat e qeverisë të uzurpuara.

“Qeveria ilegale e cila nuk doli as nga vota e qytetarëve dhe as nga vota e deputetëve, po synon të inskenoj një zakonshmëri, në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet edhe liria edhe barazia nga tjetërsimi i vullnetit qytetar të shprehur me votë tek delegimi i dialogut tek presidenti e deri tek mashtrimi me premtimin për reciprocitet asgjë normale nuk po ndodh që nga dita që jeni ulur në këto karrige. Është detyrë parësore e jona që për çdo ditë t’iu demaskojmë, ju mbase mund t’i mbani zyrat e qeverisë të uzurpuara për ca kohë për të vërtetën nuk mund ta tjetërsoni”, tha ai.

Derisa ka kritikuar qeverinë Hoti për heqjen e reciprocitet ndaj mallrave Serbie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se me heqjen e kësaj mase është hequr dorë nga sovraniteti i vendit.

“Si është e mundur që reciprocitetin ta quani pengesë, kujt i paska penguar kjo barazi mes Kosovës dhe Serbisë mbishkrimi Republika e Kosovës në dokumentet e maunave të Serbisë nuk duhet t’i pengoj askujt madje as vetë Serbisë. Vendimet dhe veprimet qeverisë ilegale janë edhe parimisht të paqëndrueshme dhe logjikisht jo konsistente. Në program flasin se si Serbia dhe Kosova trajtohen si palë të barabarta në dialog, ndërsa këta shfrytëzuan vendimin dhe e hoqën menjëherë vendimin për reciprocitet, në program flasin se si do vijë njohja nga Serbia dhe si do e ruajmë reciprocitetin dhe sovranitetin tonë, ndërsa nxituan për të hequr dorë menjëherë nga reciprociteti, pra nga sovraniteti. Me çfarë logjike pyesim ne mund të kërkohet diçka prej të cilës kemi hequr dorë paraprakisht. Kjo nuk është heqje e pengesa për dialog kjo është heqje dorë nga sovraniteti..Pse kaq shumë dëme cili është motivi i vërtetë në fakt asnjë motiv nuk e arsyeton këtë nivel degradimi as motivi për t’i hapur rrugë Zajednicës e sidomos jo motivit për t’i shërbyer presidentit i cili lobon me paratë tona për ndarjen e Kosovës”, tha ai