Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Çeku për skitaren Kiana Kryeziu: Ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar

1 min read

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka takuar sot skitaren Kiana Kryeziu, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore pasi e ka kompletuar normën olimpike.

Çeku ka thënë se ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar si vajza e parë që do të përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore.

“Kiana Kryeziu është 17 vjeçare. Ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar si vajza e parë që do të përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore. Sot prita në takim skitaren Kiana Kryeziu, sportisten që ka fituar normën olimpike për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, kryetarin e Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi”, ka shkruar Çeku në Facebook.

I pari i MKRS-së ka thënë se në takim kanë diskutuar për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve tanë, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit.

Ai tutje ka bërë të ditur se me qëllim të përgatitjes së sportistëve për këto gara olimpike nënshkruan memorandum me Federatën Skitare të Kosovës për mbështetje financiare të sportistëve tanë.

Së bashku me Kiana Kryeziun vendin tonë në Olimpiadën dimërore Pekini 2022 do ta përfaqësojë edhe skitari Albin Tahiri./21Media