Kombëtarja e Anglisë do jetë pa Ben Chilwellin dhe Kieran Trippierin të mërkurën mbrëma në kuadër të Ligës së Kombeve ndaj Danimarkës.

Dyshja është larguar nga skuadra sot, duke lënë teknikun Gareth Southgate me vetëm 28 lojtarë për tu përzgjedhur.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Chilwell mungoi në dy ndeshjet e para hapëse të Anglisë pasi ka thyer rregulloren për Covid-19, thuhet se ka pësuar një lëndim në këmbë.

Ndërkaq, Kieran Trippier i cili është mbrojtës i krahut të djathtë në radhët e Atletico Madridit, thuhet se për arsye personale ka kërkuar nga seleksionuesi që në ndeshjes e radhës të mos llogaritet në të.

Anglia fitoi ndaj Belgjikës me rezultat të ngushtë 2:1, ku Trippier luajti 90’ minuta të plotë.