Mundësia e shkurtimeve buxhetore të qeverisë në realizimin e tranzicionit 10 vjeçar të FSK-së ka ngjallur debat në Kuvend mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Ky i fundit gjatë seancës së sotme adresoi kritika ndaj qeverisë për shkurtime buxhetore ndaj FSK-së në tri vitet e ardhshme, por kryeministri Hoti u zotua se nuk do të ketë shkurtime buxhetore.

“Lidhur me shpenzimet për mbrojte iu njoftoj që jemi duke vazhduar plotësisht për planin e trnazicionit 10 vjeçar të FSK-së. Ky mbetet prioritet i jonë, financimin jemi duke e bërë sipas nevojave që ka FSK-ja për transformim. Këtë financim e kemi dakorduar edhe me partneret tanë ndërkombëtar. Tash jemi në proces të rekrutëve të rinj për FSK-së. Nuk do të ketë pengesa në realizimin e planit të tranzicionit të FSK-së. Nuk do të ketë shkurtime buxhetore”, tha ai.

Ndërkaq, Selimi insistoi se në tri vitet e ardhshme qeveria ka bërë mbi 97 milionë shkurtime buxhetore në FSK.

“Zotëri Hoti ju demantojë jo me argumentet e mija, por të FSK-së, ministrisë dhe mbi të gjitha me nevojat që I ka ministria e Mbrojtjes. Edhe një herë iu konfirmojë që në raport me nevojat dhe planin gjithëpërfshirës të tranzicionit ju keni bërë shkurtime për tri vitet e ardhshme. Për vitin 2021, 28 milionë, për vitin 2022, 33 milionë, 2023 34 milionë që në total bëjnë mbi 97 milionë” , tha ai.