Deputetët e LDK-së që dje nuk morën pjesë në votimin e presidentit janë deklaruar sot serish para vazhdimit të seancës.

Kuvendi i Kosovës dje dështoi në dy votimet e para të raundit të parë për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Në seancë morën pjesë 82 deputetë, por votuan 78, përkatësisht 79 deputetë, që ishte e pamjaftueshme për të kaluar në raundin e dytë, pas së cilës u vendos për vazhdimin e seancës për sot.

Para vazhdimit të seancës, e planifikuar për sot në orën 17:00, por që ende nuk ka filluar, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka thënë shkurt para mediave se “nuk jam prej personave që ndërroj qëndrim shpesh”, ndërsa Agim Veliu ka thënë se “s’ka ndryshuar asgjë nga dje”.

Deputeti tjetër i LDK-së që nuk mori pjesë mbrëmë në votim, Avdullah Hoti nuk është deklaruar për media.

Ndryshe, seanca për zgjedhjen e presidentit është planifikuar të nisë në orën 17:00, por që ende nuk ka filluar. Në garë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, e para nga Lista Guxo, ndërsa ky i dyti nga Lëvizja Vetëvendosje.