Dema theksoi se zhvillimi i shtetit të Kosovës lidhet me progresin e UP-së

Dema theksoi se zhvillimi i shtetit të Kosovës lidhet me progresin e UP-së

Në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot u mbajt një ceremoni solemne, ku u tha se universiteti është sakrifica dhe krenaria e shtetit tonë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema duke folur rreth javës së UP-së, tha se ky universitet është shndërruar në bërthamën e shtet-formimit dhe shtet ndërtimit të Kosovës, e krejt kjo sipas tij, për shkak të qasjes së barabartë, lirisë akademike dhe cilësisë arsimore.

Dema theksoi se zhvillimi i shtetit të Kosovës lidhet ngushtë me progresin e Universitetit të Prishtinës, e me këtë rast i bëri thirrje të gjithë shoqërisë që të kontribuojnë së bashku, në ngritjen e UP-së.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani duke i kujtuar të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin e UP-së, tha se në politikat e tyre qeverisëse arsimi do të jetë primar.

Osmani theksoi se këto 50 vite të universitet, janë arritur me shumë mund e përkushtim, andaj sipas saj, këtë ritëm duhet ta vazhdojmë edhe më tutje.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, tha se Universiteti i Prishtinës gjithmonë ka luajtur rol në formimin e shtetit tonë, e për këtë arsye Abazi bën të ditur se arsimi, edukimi dhe akademia do të vendosen në vendin e duhur në shoqërinë tonë.

Për nder të kësaj dite, ishin të pranishëm rektorë të universiteteve të ndryshme si nga Tirana, Lubljana, Sofia, Sarajeva, Mali i Zi, SHBA, Shkup, Gjermania, e shumë të tjerë.