Presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel do të jetë i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë në basketboll.

Marrëveshja do të nënshkruhet nesër nga ora 19:00 në Tiranë, ku Demirel do të ofrojë përkrahen e tij dhe institucionit që ai drejton.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) që disa muaj janë duke punuar intensivisht për themelimin e kësaj lige, kurse nga fillimi kanë pasur përkrahjen nga FIBA Evropa.

Demirel, i cili vitin e kaluar kishte qenë në Kosovë për të ofruar përkrahje për basketbollin e Kosovës, do të mbajë një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për të treguar se e përkrah Ligën dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme.

Marrëveshja do të nënshkruhet nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, në praninë e Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Vlora Dumoshi, ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga dy sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

Duhet theksuar se ky është një hap i madh për basketbollin në hapësirat shqiptare duke formuar ligën UNIKE.