Rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision ad-hoc

Rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision ad-hoc

Demokraci Plus ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të vazhdojë me mbikëqyrjen e punës së qeverisë në detyrë, pavarësisht gjendjes së krijuar me koronavirus, në mënyrë që të krijojë një ambient ku të gjitha partitë politike do të ofrojnë alternativat e tyre për tejkalimin e pandemisë COVID-19.

Qeveria Kurti, edhe pse ka humbur besimin, ajo mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re për të ushtruar të gjitha funksionet vitale të ekzekutivit dhe kjo nuk duhet kuptuar si ndërprerje të kontaktit me Kuvendin dhe shkëputje të zinxhirit llogaridhënës, thekson Demokraci Plus në një komunikatë për media.

Kuvendi duhet të jetë mirë i informuar me veprimet e qeverisë dhe sidomos me masat të cilat po ndërmerren për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19, por dhe lehtësirat tjera ekonomike që kanë për qëllim t’u dalin në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të prekur a.

Demokraci Plus, rekomandon që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision ad-hoc për të mbikëqyrë masat e ndërmarra nga qeveria gjatë kohës së pandemisë COVID-19, i cili do të mbulojë çështjet nga fusha e shëndetësisë, ekonomisë e financave, si dhe të drejtat e njeriut.

Po ashtu, rekomandohet takime të rregullta përmes platformave në internet ndërmjet qeverisë dhe parlamentit, teksa duhet shikuar mundësia e ndryshimit të legjislacionit që lejon mbajtjen e mbledhjeve me korrespodencë.

Përkundër kësaj, komisionet parlamentare mund të mbajnë takime online me ministrat, me qëllim të marrjes së më shumë informatave, pasi në këto lloj të takimeve nuk kërkohet votim. Me qëllim të përmbushjes së rolit përfaqësues, deputetët të zhvillojnë takime online me qytetarët për të kuptuar më mirë nevojat dhe kërkesat e tyre, përfundon komunikata.