Në mungesë të kuorumit deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të miratojnë raportin vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019.

Të zgjedhurit e popullit në seancën e sotme kërkuan që ky institucion të rrisë performancën dhe efikasitetin e punës.

Duke shprehur mosmbështetjen për këtë raport, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati tha se në KRPP nuk ka pasur shfrytëzim të drejtë të parasë publike.

“Në aspektin e monitorimit të shpalljes së tenderëve të procedurave të prokurimit, ky institucion nuk e ka kryer punën si duhet. Gjatë vitin 2019 kemi parë rritje enorme të kontratave me negocim, pa procedurë pa tenderim dhe negocim të mbyllur. Kemi pa rritje të aneks kontratave me shumë enorme. Për dy këto kategori viti 2019 shënon rekord, në këtë aspekt duke pas parasysh se si proces prokurimi duhet të sigurojë vlerën për para dhe kthimin më të mirë për paranë publike. Procedura të tilla që nuk arsyetohet dhe bëhet vetëm të kamuflohet favorizimi i kompanive të caktuara, atëherë ne konsiderojmë se nuk ka pasur shfrytëzim të drejtë të parasë publike”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Shkelzen Hajdini derisa i paraqiti disa të dhëna të punës së KRPP-së gjatë vitit 2019, tha se e përkrahin raportin e tyre të punës.

“Ky raport përmban të dhënat mbi kontratat e nënshkruara gjatë vitit 2019. Gjithësi ishin 12461 kontrata të publikuara në vlerë prej 780 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018 ishin 150 milionë euro më shumë. Raporti i prezantuar në komision dhe në Kuvend përmban një analizë të këtij institucioni rreth kontratave të nënshkruara duke u bazuar në burimet e financimit… viti 2019 krahasim me vitin 2018 bazuar në raportin ka një përparim të vogël si rezultat i rritjes së përdorimit të procedurës së hapur, zvogëlimi i procedurave të negociuara dhe futja në përdorim të sistemit elektronik të prokurimit. Megjithatë marrë parasysh rolin dhe mandatin që e ka KRPP, kërkojmë të rrisë monitorimin e kontratave”, tha ai.

E mbështetje këtij raporti në emër të PDK-së i dha deputetja Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi edhe avancim të mëtejmë të kornizës ligjore të prokurimit publik

“Ne si grup parlamentar do të mbështesim këtë raport dhe do të vazhdojmë të mbikqëryim zbatimin e rekomandimeve të shumica prej të cilave janë të rëndësishme në përmirësimin e sistemit të përgjithshëm të prokurimit publik në vendin tonë. Duhet të theksohet se avancimi i mëtejmë i kornizës ligjore të Prokurimit publik duhet të mbetet një nga nevojat me më prioritet sepse ndërlidhet me MSA-në dhe agjendën për reforma evropiane”, tha ajo.

Megjithëse përkrahje i dhanë edhe grupet tjera parlamentare, në sallën plenare nuk ishin deputetët e nevojshme për të hedhur në votim këtë raport.

Ndërkohë, deputetët dështuan të miratojnë edhe rekomandimet për raportimin e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019.