Në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike gjatë ditës kanë raportuar ministra dhe përfaqësues të agjencive të pavarura për rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian”. Aty u tha se ka pasur progres në disa fusha, por ka ende punë për t’i zbatuar në tërësi gjitha të gjeturat e BE-së.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica para anëtarëve të komisionit i paraqiti disa nga synimet e dikasterit të tij për të zbatuar rekomandimet e BE-së.

“Do të procedojmë tutje edhe me Projektligjin i punës dhe lehonisë si dhe Plotësim-ndryshimi i disa projektligjeve që kanë të bëjnë me fusha tjera të marrëdhënies së punës është synimi ynë. Por sfidë mbetët edhe zbatimi konkret i ligjeve në aspektin e marrëdhënieve të punës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi derisa tregoi angazhimin e tij për zbatim të rekomandimeve të BE-së, tha se sfidë është edhe shkurtimi i buxhetit.

“Sfidë për zbatimin e këtyre rekomandimeve sa i përket industrisë është buxheti pasi jemi në pandemi dhe po ka shkurtime buxhetore”, tha ai.

Nga ZRrE, Arsim Janova tha se në bazë të raportit të BE-së do të angazhohen për planin e eficencës së energjisë dhe tarifat e saj.

E deputetët kërkuan angazhim më të madh nga zyrtarët institucionalë në zbatimin e këtyre rekomandimeve të BE-së.