Tema e zbardhjes së personave të pagjetur ka ngjallur debat edhe sot në komisionin parlamentar që merret me të çështjen e të pagjeturve. Aty ka pasur përplasje në mes të deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, asaj të LDK-së Saranda Musliu dhe Saranda Bogujevcit të Vetëvendosjes, ku kësaj të fundit i është thënë se po viktimizohet dhe po flet të njëjtat gjëra tash e sa vjet.

Pas debatit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku tema për të pagjeturit ka përplasur deputetët, edhe komisioni i sotëm për të drejtat e njeriut nuk kaloi i qetë.

Deputetja Saranda Bogujevci tha se raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti para këtij komisioni ka ndodhur pas presionit të vazhdueshëm të deputetëve ndaj tij.

“Ky proces është i gjatë dhe ka me vazhdu gjatë, nëse dikush mendon që procesi i të pagjeturve ka me përfundu me përfundim të dialogut, e ka gabim. Çka po kërkojmë ne dhe çka kemi kërku ne deri më tani është që kur të paraqitet çështja e të pagjeturve në tavolinë me Serbinë Kosova me ditë konkretisht çka po kërkon prej Serbisë, dhe nuk mundet që kjo temë të trajtohet në nivel të barabartë me Serbinë sepse nuk jemi”, tha ajo.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e deputetes Haxhiu e cila tha se Bogujevci po përsëritë gjërat e njëjta tash e sa vjet, ndërsa Musliu tha se deputetja e Vetëvendosjes po viktimizohet.

Ndërsa kryetarja e komisionit, Duda Balje kërkoi që të ketë unitet në çështjen e të pagjeturve.

“Për personat e pagjetur mos përmendi pozitë e opozitë, këtu nuk ka, këtu ne jemi në anën e Kosovës, mos e bëni politike, dje keni pasur mundësi në seancë me fol”, tha jo.

E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili tha Serbisë i duhet kërkuar llogari, diçka që sipas saj nuk po e bën Qeveria e Kosovës.

“Me Serbinë po bisedohet butë, me Serbinë nuk po kërkohet llogari, nuk po ushtrohet asnjë lloj presioni për drejtësi dhe sikur po bëhet vetëm një listim dhe po behën tika që Serbia dhe shteti serb po kryen krime”, tha ajo.

Deputetja Saranda Musliu, nga radhët e LDK-së, kërkoi që mos të diskutohet më rreth përgjigjes që zëvendëskryeministri i Kosovës i ka kthyer komisionit kur ka refuzuar ftesën për raportim.

“Nuk po dua të ja bëjë avokatin askujt, pro asnjëherë nuk është ezauruar kjo çështje, mendoj që zëvendëskryeministri Driton Selmanaj brenda kompetencave të tij ka dhënë atë çka ka mundur. Nuk do të doja të vazhdonim për atë email, ai ndoshta brenda mundësive aq ka informacion aq ka dhënë’, tha ajo.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ku është diskutuar për çështjen e të pagjeturve si pjesë e zotimeve të 4 shtatorit në Uashington, kishte përplasje në mes të deputetëve dhe zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj.

Ky u fundit u kritikua për mënyrën si ka refuzuar ftesën e komisionit për raportim, ku ndër të tjera ka shkruar se tema për të pagjeturit është “konsumuar, rrjedhimisht ezauruar në raportimin e kryeministrit në seancën e Kuvendit”./kp