Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se partitë politike duhet sa më parë të mirren vesh për një datë për shpërbërjen e Kuvendit e Kosovës. Sipas tij, Kuvendi tashmë është jo funksional dhe koalicioni nuk i ka asnjëherë më shumë se 35 deputetë në sallë.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka thënë se koalicioni, dikur i quajtur ‘koalicion i shpresës’, e ka degraduar vendin.

“Ky është rezultati i 6 tetorit i koalicionit të shpresës, pra sot, deri dje kishim Qeverinë Kurti e cila me vetëdije dezertoi nga përgjegjësia e lartë shtetërore dhe e la vendin në një krizë jashtëzakonisht të madhe, ndërsa sot po pretendojnë se po qeverisin një koalicion i cili asnjëherë më shumë se 35 deputetë nuk i ka në këtë sallë. Është e pamoralshme të vazhdohet me këtë gjendje, sepse këtë vetme qeverisje më nuk mund ta quajmë, andaj është koha që mos të humbin as edhe një ditë të vetme, edhe ju që po e mbani peng pushtetin, edhe ne si opozitë që nuk i kemi votat për ta rrëzuar këtë qeveri , të ulemi dhe të dakordohemi për një datë që ky Kuvend të shpërbehet. Pra ky Kuvend është jofunksional”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se viti 2020 është viti kur shoqëria kosovare ka përjetuar degradimin më të madh në ekonomi, shëndetësi e arsim.