Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka folur për gjendjen e rëndë në vend të krijuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka prioritet pushtetin dhe jo shëndetin e qytetarëve.

Haxhiu tha se politikanët në Kosovë po rrezikojnë shëndeti ne qytetarëve gjatë pandemisë për shkak të votave, duke përmendur këtu tubimet që janë parë në kuadër të zgjedhjeve që janë mbajtur në Podujevë.

“Kur politikanët shkelin masat për një grusht vota e pak pushtet dhe nuk ndëshkohen atëherë pse shteti i dënon qytetarët dhe amniston politikanët. Këta qeveritarë e politikanë të papërgjegjshëm sillen me aq komoditet, pa çarë kokën se çfarë po vuajnë pacientët dhe familjarët e tyre në spitale, çfarë mundi e çfarë sakrifice mbinjerëzore janë duke bërë një pjesë e madhe e mjekëve, personelit mjekësor dhe atij mbështetës tani e më shumë se tetë muaj. Qeveria nuk është duke kuptuar as rolin e saj e as Ministrisë së shëndetësisë gjatë pandemisë”, tha ai.

Haxhiu tha se tashmë është bërë vonë për çdo hap parandalues lidhur me pandeminë Covid-19 dhe sipas tij duhet të ndërmirren hapa urgjent, për siç tha ai, shpëtim nga katastrofa.

“Minsrtria e shëndetësisë urgjentisht duhet të bëjë rifreskim të stafit duke angazhuar vullnetarë, të angazhojë të gjithë mjekët e diplomuar dhe të fillojë punën menjëherë me specializantët e pranuar në mënyrë vullnetari deri më 31.12.2020 dhe më pas me pagesë nga viti i ardhshëm”, tha ai.

Ai tha se duhet të përgatiten me urgjencë hapësirat për pranin shtesë të pacientëve dhe të rritën pagat e sektorit të shëndetësisë, policisë e inspektoratit.