Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka kritikuar Qeverinë Hoti për mos mbështetje të sektorit shëndetësor në luftën me pandeminë COVID 19.

Deputetja opozitare, gjatë debatit parlamentar për menaxhimin e COVID 19 në vend, tha se edhe pacientët e prekur me koronavirus po ndihen të pasigurt nga shteti.

“Si është e mundur që të mbulohet krejt komuna e Prishtinës me një QKMF, përderisa në qytetet tjera më të vogla e kemi nga një qendër të mjekësisë familjare. Ne fillimisht nuk iu kemi mundësuar që pacientët të ndihen të sigurt nga shteti…sot është beteja më e madhe me gjetë një infermier që të vjen në shtëpi dhe të jep terapinë. Sot beteja është qysh me gjetë rrugë alternative të trajtimit. Po presim që një pacientë i prekur nga COVID të shkojë në Emshir aty të pret me orë dhe të këqyre a ka mundësi me marrë një terapi që i nevojitet. Çka po bëjmë ne që me i mbështet punëtorët shëndetësor. Kjo ministri po luan, 250 euro për mjekë 150 për infermierë, ndërsa kjo është për rrezikshmëri. Gjithë janë të rrezikuar, ajo shumë duhet të jetë e barabartë për të gjithë, deri të punëtorët sanitar. Tjetër është pagimi i orëve shtesë që nuk po paguhen”, tha ajo.

Krahas kësaj, Mulhaxha-Kollçaku kritikoi edhe kryeministrit Hoti për mos koordinimin institucional dhe se e ka bërë shtetin policor dhe jo parandalues.

“Çfarë po bënë ky shtet që është bërë policor, e jo parandalues. Po e shoh kryeministri po ndihet mirë se ka një armë, një Ligj anti-COVID që këtu është votuar mezi me shumë përpjekje me u ndalu. Por sot po e pyes sa po konsultohet me inspektorët sanitar, kryeinspektorët sanitarë, kryeinspektorët shëndetësore që kemi parë që disa prej tyre iu kanë ndaluar në objektin e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ajo.