Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se rishikimi i masave të reja nga Qeveria e Kosovës nuk sjell ndonjë dobi në të mirë të qyterarëve.

Kadrijaj e ka quajtur të panevojshme orën policore në muajin kur besimtarët myslimanë agjërojnë Ramazanin.

“Rishikimi i masave të reja nga Qeveria e Kosovës nuk sjell ndonjë dobi në të mirë të qyterarëve siç nuk ka ndryshuar asgjë në dy javët e kaluara. Sidomos e është panevojshme ora policore gjatë natës kur tani jemi në Muajin e Shejtë të Ramazanit dhe qytetarët që agjërojnë kanë nevojë të shërbehen me ushqime që i praktikojnë gjatë këtij muaji. Psh: në syfyr nuk shkon gjithë familja në furrë por një pjesëtar i familjes dhe nuk krijohen masa të mëdha të njerëzve”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të rishikojnë vendimin për orë policore.

“Andaj për respekt të muajit Ramazan, kërkoj nga Qeveria e Kosovës të rishikojnë vendimin për orë policore, ta heqin krejtë ose tê vendosin në vend të orë 5:00 në ora 2:00. Nëse nuk mund të iu ndihmojmë më shumë atëherë të paktën mos ti pengojmë të paktën gjatë këtij muaji kur e dijmë që shumë qytetarë janë gjobitur me nga 200 euro për një pitalkë ose një byrek që janë shërbyer gjatë orës policore”, ka shkruar deputetja Time Kadrijaj në Facebook.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat antiCovid kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00, ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK)./21Media