Policia e Shtetit shqiptar sonte ka shpërndarë protestuesit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Protestuesit për të pestën ditë radhazi kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për shkak të vrasjes së të riut, Klodrian Rasha të martën e kaluar nga një pjesëtar i policisë gjatë kohës së orës policore.

Forcat e rendit sonte kanë shoqëruar disa persona, të cilët po protestonin rrugëve të kryeqytetit shqiptar. Policia e Shtetit ka përdorur topa uji dhe gaz-lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Protestat e sotme kanë ndodhur pasi në rrjetet sociale është bërë sërish thirrje për protesta në sheshet kryesore të Shqipërisë, kundër dhunës policore, për lirimin e protestuesve, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe reformim të policisë.

Pas natës së parë të protestës në Tiranë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dhënë dorëheqje, por kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kryepolici Ardi Veliu do të qëndrojë në detyrë.