Sot bëhen 21 vjet nga zhdukja e veprimtarit Ukshin Hoti. E me këtë rast, djali i tij, Andini që ishte deputet nga radhët e PDK-së, ka publikuar një foto sa ishte bebe në prehër të babait të tij me një përshkrim emocionues.

Ai ka thënë se nuk arriti të marrë përkujdesin prindëror, por jo me fajin e të atit.

Ndërsa thotë se ndihet krenar që i la si trashëgimi respektin e popullit.

“”Shokë, shihemi në Kosovën e lirë” Ukshin Hoti, 16 maj 1999, Dubravë! Sot bëhen 21 vite apo 7670 ditë që nga zhdukja me forcë e babit nga Burgu i Dubraves! Edhe nëse dikush do t’donte t’na zbeh forcen për mbajtjen e shpresës që një ditë do t’dihet fati i tij, e kan gabim! Ajo shpresë nuk do t’shuhet sa t’kemi jetë. Nuk më le pasuri si trashegimi, dhe e di unë se si jam rrit, por më le diçka që as parja e krejt botes nuk e blen, më le pasurinë më të madhe të njeriut: Respektin, Nderin dhe Krenarinë! As kujdesin prindëror nuk e mora prej teje, natyrisht jo me faj tëndin, por sepse grillat e burgut ta pamundësuan, por më le diçka të madhe: Respektin e popullit. FALEMINDERIT!”, ka shkruar ai.

Ukshin Hoti, më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, u zhduk nga polica serbe pa lënë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve./21Media