Dodë Gjergji tha se ditët e kësaj pranvere janë të vështira për qytetarët e vendit

Dodë Gjergji tha se ditët e kësaj pranvere janë të vështira për qytetarët e vendit

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim gjatë kësaj periudhe që vendi po përballet me COVID-19. Sipas tij, secili duhet të gjejë forcën për të përballuar këto ditë të vështira.

Kështu tha ai gjatë meshës që u mbajt të premten në katedralen “Nënë Tereza”. Me pak besimtarë katolikë, sot u mbajtën “Ritet e së premtes së Madhe”, ku ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji theksoi se ditët e kësaj pranvere janë të vështira për qytetarët e vendit.

“Duhet të mësojmë dhe të mos demoralizohemi. Të mos shpërqendrohemi nga dhuratat që na vijnë nga qielli dhe nga sakrifica që është bërë në kryq për ne. Duhet të rrisim brenda vetës kapacitetin e duresës ndaj njëri-tjetrit. Duhet të gjejmë forcën për të përballuar ditët e vështira. Të gjitha mundimet, vuajtjet, dhimbjet në zemrat e njerëzve, shpirtrat e të vdekurve, ankthin e të sëmurëve, palodhshmërinë dhe punën e të gjithë njerëzve që veprojnë në dobi të njerëzve, sot ia kushtojmë, ia paraqesim Zotit tonë të kryqëzuar. Që nëpërmjet dashurinë së tij, mëshirës së tij dhe sidomos ndaj ngjalljes së tij të na rikthej shpresën dhe të na mbush përsëri me entuziazëm dhe dashuri”, deklaroi ai.

Kështu, e Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit.