Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Shoqëria Lëvizja dhe Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, me anë të një deklarate të përbashkët kanë dënuar njëzëri veprimet e fundit të Gjykatës Speciale karshi ish-krerëve të UCK-së.

Në deklaratën e përbashkët të këtyre shoqatave ndër të tjera thuhet se “Hapja spektakolare e fushatës së paralajmëruar speciale e të ashtuquajturave Dhoma të specializuara për krime të luftës, ka shkaktuar shqetësim e konfuzion, si rrallë herë më parë në shoqërinë edhe ashtu në krizë dhe në konfuzion të thellë e të gjithanshëm të Kosovës”.

Po ashtu në Deklaratë theksohet se “Ndonëse edhe pritjet e njerëzve në Kosovë nuk ishin optimiste, megjithatë, mënyra brutale dhe teatrale e ndërhyrjes dhe e trajtimit të personaliteteve të shenjëstruara ishte përtej përfytyrimit të popullit tonë ultra proevropian, të vlerave dhe praktikave të drejtësisë moderne evropiane!”.

“Aktakuza speciale i referohet Serbisë dhe Jugosllavisë si Autoritet zyrtar, duke injoruar jo vetëm të vërteten e dhunës dhe terrorit gjenocidal të pushtimit të gjysmës së territorit shqiptar dhe zhbërjes e serbizimit të qindra vendbanimeve në rajonin e Nishit dhe Leskocit”, thuhet më tej në një deklarate të përbashkët kanë dënuar njëzëri veprimet e fundit të Gjykatës Speciale karshi ish-krerëve të UÇK-së.

Këto shoqata nga institucionet tona politike e shtetërore kërkojnë që të mbajnë qëndrim, të protestojnë e kundërshtojnë me të gjitha mënyrat e mjetet përkatëse dhe të përshtatshme kundër kësaj tendence të hapur për “kriminalizimin” e Luftës së UÇK-së me qëllim të rehabilitimit të shtetit që ka kryer dhunë, terror, masakra e gjenocid ndaj popullit tonë, jo vetëm në këtë luftë.

“Kurse nga Kuvendi i Republikës së Kosovës presim që të distancohet qartë nga Gjykata që e ka krijuar dhe të nxjerr rezolutë të posaçme e të marrë masa tjera me të cilat kundërshton tendencën antishqiptare të kësaj Gjykate. Partitë politike, institucionet shtetërore dhe akademitë e institucionet shkencore dhe arsimore të ndërtojnë platformë unike dhe të krijojnë grupe specialistësh që të angazhohen për dekonstruktimin e akuzave monstruoze që po i bëhen Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar dhe tendencës perfide për ta rehabilituar Serbinë dhe gjenocidin e saj ndaj popullit tonë, për ta dëmtuar rëndë imazhin dhe për ta obstruktuar ardhmërinë e lirë, demokratike dhe evropiane të dy shteteve tona dhe të kombit shqiptar’, thuhet ndër tjera në deklaratë.