Sot do të luhen ndeshjet e fundit të këtij stinori në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita tanimë është shpallur kampion, ndërsa ndeshjen e fundit do ta luajë në Suharekë ndaj Ballkanit.

Klubi nga Gjilani ka arritur të sigurojë titullin e tretë në histori, pas barazimit gjiron e kaluar në ndeshjen ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit.

Drita do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane. Si kampion i Kosovës, ata do të marrin pjesë në parakualifikimet për në Ligën e Kampionëve, e ku në ndeshjen e parë do të ndeshen me kampionin e Andorrës, Inter Escaldes.

Ky titull po cilësohet si i merituar nga dy analistët e njohur, Erdin Hashani dhe Ardian Llumnica.

Hashani fillimisht është shprehur se Drita me formën e treguar e ka merituar titullin e kampionit. Sipas ti,j përvoja e lojtarëve e ka bërë që “Intelektualët” të gëzohen në fund të këtij stinori.

“Mendoj se e ka merituar duke e ditur atëherë pikët që i ka bë, e ka merituar definitivisht. Unë kisha mundur të them që kushdo që ish bërë nga këto të katërtat, e ka merituar sepse nuk është ditur fituesi deri në fund të këtij kampionatit, gjë që e ka bërë këtë kampionat shumë më interesant sesa kampionate tjera, jo vetëm për titull por po ashtu edhe për mbijetesë. Unë mendoj se Drita e ka merituar, sipas parashikimit duke ditur se çfarë lojtarë ka në radhët e veta dhe sa lojtarë ka me përvojë, ndoshta këto elemente pas rifillimit të kampionatit që e kanë bë diferencën është ajo përvoja e lojtarëve të Dritës, që e ka bë për tu shpallur Drita kampion”, tha fillimisht Hashani.

Sa i përket pjesëmarrjes në garat evropiane, Hashani u shpreh se gjilanasit tanimë kanë përvojën e duhur dhe është normale që nga ta të presim sukses më të madh sa që kanë arritur herën e parë.

“Mendoj që pak është herët për shkak që përveç ndeshjes së parë që kisha me thënë, nuk është që e ka shumë vështirë, por ndoshta është ajo përvoja që ka me bë, unë po shpresoj dhe po mendoj që ka me arrit më shumë sesa herën e kaluar, duke pasur parasysh se tashmë tek Drita nuk është hera e parë që merr pjesë në Evrope. Do të thotë që nga hera e parë vetëm ka mësuar nga ato gabimet që i kanë bërë sepse përvoja në Evropë është shumë e rëndësishme. Ka lojtar që kanë luajtur nëpër ndeshjet evropiane, kështu që ndoshta edhe ndikimi i tyre ka me bë, që Drita këtë vit në Evropë ka me qenë shumë më ndryshe sesa vitin e kaluar, për shkak se tanimë veç e dinë se çfarë ekipe ka pjesëmarrëse”, potencoi Hashani.

Njohësi tjetër i futbollit kosovar, Ardian Llumnica gjithashtu mendon se Drita me plotë meritë është shpallur kampion në Superligën e Kosovës.

“Gjithsesi është e merituar sepse Drita ka qenë favorit gjatë gjithë kampionatit, prej fillimit të tij, ka qenë në atë mesin e ngushtë të skuadrave edhe me cilësi, por edhe si favorizuese për të fituar titullin. Mendoj që kruciale për Dritën ka qenë seria e fitoreve. Ka hyrë në seri mu në kohën ideale, brenda kohës kur pretendetët tjerë kanë gabuar dhe aty është bërë diferenca e Dritës. Në këto suaza mendoj që Drita ka pasur ekip dhe ka ekip gjithsesi për kampion”, tha Llumnica.

Llumnica për aventurën e Dritës në arenën ndërkombëtare për këtë vit shpreson se ata do të demantojnë gjithë opinionin, duke arritur sukses më të madh se herën e parë.

“Atëherë, Drita e ka obligim moral dhe etik që të gjithë opinionin ta demantojë. Drita mundet me demantuar të gjithë opinionin me kualifikim sa më të lartë në garat evropiane. Ne e dimë që në këto gara ne nuk po paraqitemi mirë dhe po kemi probleme. Vazhdimisht po humbim nga skuadrat tejet amatore. Mendoj se skuadra e Dritës me këtë skuadër që ka me këtë përvojë që ka brenda skuadrës do të kalojë mos më shumë se herën e kaluar që ka qenë dhe kështu nuk shoh që kundërshtari i radhës është një kundërshtar tejet i fortë, sepse liga e Andorrës në nuanca dallon nga ne dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë kundërshtar tejet të frikshëm”, përfundoi Llumnica.

Drita është shpallur kampion për herë të tretë në histori dhe kjo është hera e dytë në tri vitet e fundit.

Në arenën ndërkombëtare, Drita do të luaj ndeshjen e parë kundër Inter Escaldes më 8 gusht në Nyon të Zvicrës./kp