Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi me rastin e ndarjes nga jeta të artistit Koço Devole, i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve, duke thënë se ai përveçse aktor i shkëlqyer humori, ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh.

Ministrja Dumoshi ka thënë se rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.

“E nderuara familja Devole, Të nderuar miq, artdashës e bashkëpunëtorë, Me dhimbje mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur shqiptar Koço Devole. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët dhe për komunitetin artistik në Shqipëri.

Koço Devole qe me plot të drejtë një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, qe karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.

Ikja e tij e beftë dhe e padrejtë e kësaj kohe të vështirë të cilën po e jetojmë lë boshllëk të pazëvendësueshëm në artin e kulturën shqiptare në përgjithësi.

Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme artistike të tij i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, artdashësve dhe atyre që patën nderin ta njohin”, ka shkruar Dumoshi.

Aktori i mirënjohur i humorit dhe regjisori, Koço Devole, është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare pas infektimit prej disa ditësh nga koronavirusi.